Urime ditëlindjen Dritëro Agolli

Urime ditëlindjen Dritëro Agolli

13 tetori, shënon ditëlindjen e akademikut, shkrimtarit, mendimtarit dhe personaliteti të madh shqiptar, Dritëro Agollit, njofton Insajderi.

Ishte një figurë qendrore e poezisë shqipe qysh prej mesit të shekullit të kaluar. Një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të Brezit të viteve 1960; kritik ndaj frymës tradicionaliste të poezisë së re të pasluftës, ai hyri në letërsi me kërkesën për ndryshimin e së ardhmes së saj.

Dritëro Agolli - Wikipedia

Ka punuar shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit”, dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Për tridhjetë vjet me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet.

Për nga gjinitë, krijimtaria e tij është e larmishme. Në vjershat dhe poemat e Dritëro Agollit gjejnë shprehje mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, patriotizmi dhe besnikëria ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë (“Devon”, “Devoll”, “Poemë malore”, “Hapat e mia në asfalt” etj.). Vepra e tij poetike më e shquar është Nënë Shqipëri (1975), ku krijohet figura e Atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta që ndeshi në rrugën e vet dhe me vendosmërinë për të përballuar çdo pengesë e armik. Në poemën “Baballarët” theksohet rëndësia e veçantë e vijimësisë së traditave revolucionare në jetën e shoqërisë.

Dritero Agolli

Në prozë bëri emër sidomos romani Komisari Memo (1969), në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës ANÇ. Nga ngjarjet e kësaj periudhe e merr subjektin edhe romani “Njeriu me top” (1975), që flet për ndikimin e luftës çlirimtare në mentalitetin e njerëzve. Dritëro Agolli ka botuar edhe mjaft tregime e novela nga jeta e sotme.

Ndër krijimet satirike romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973) vë në lojë konformizmin, servilizmin dhe vanitetin si shfaqje të huaja për njeriun e ri.

Në vitin 2011 Dritëro Agolli, është nderuar me titullin doktor Honoris Causa nga Universiteti Europian i Tiranës. Në një ceremoni të veçantë, iu dha ky titull shkrimtarit të shquar “Për kontributin e madh dhe të rëndësishëm në krijimtarinë e tij letrare për më shumë se 60 vjet, si poet, prozatore, dramaturg përkthyes e eseist”.

Dritëro Agolli është laureat i disa çmimeve letrare kombëtare. Ai mban titullin “Nderi i Kombit”. Një pjesë e madhe e veprave të tij janë botuar në shumë gjuhë të huaja: frëngjisht, italisht, gjermanisht, anglisht, greqisht, bullgarisht, rusisht, turqisht dhe në gjuhë të tjera.

Në moshën 85 vjeçare ndahet nga jeta me një sëmundje kronike në mushkri por, ai do të mbetet një nga figurat më të shquara të penës shqiptare. /Insajderi.com

Burimi: Wikipedia