Vaji i kokosit më i dëmshëm se gjalpa dhe yndyra e kafshëve

Vaji i kokosit më i dëmshëm se gjalpa dhe yndyra e kafshëve

Për vite me radhë vaji i kokosit është cilësuar si zgjidhje për gjithë problemet e shëndetit.

Lëkurë e thatë? Përdor vaj kokosi! Flokë të dobët? Vaj kokosi! Mbi peshë? Vaj kokosi!

U bë zgjedhje e shumë njerëzve për ushqim duke zëvendësuar vajrat tjera, shumë blogerë duke treguar për të mirat e këtij vaji.

Tani sidoqoftë, ekspertët kanë folur jo dhe aq mirë për këtë vaj. Ata kanë thënë se është po aq i dëmshëm sa edhe dhjami i kafshëve.

Përderisa avokado dhe arrat kanë yndyra të mira, vaji i kokosit është yndyrë e ngopur dhe për këtë arsye nuk është më i mirë se sa gjalpa, ka thënë Asociacioni Amerikan i Zemrës në këshillën e tyre të publikuar së fundmi.

Ata thonë se ky vaj mund të ngritë kolesterolin e dëmshëm, edhe pse shpesh shitet si ushqim i shëndetshëm.

Përdorimi i shpeshtë i vajit të kokosit mund të rezultojë në mbyllje të arterieve dhe rritje të sëmundjes dhe sulmit në zemër, shkruan The Independent.

82 për qind të vajit të kokosit është i ngopur, që është më shumë se sa gjalpa (63 për qind), yndyra e mishit të lopës (50 për qind) dhe të derrit (39 për qind).

Gjithashtu, ky asociacion ka thënë se nuk ka fakte të vërtetuara të cilat janë në pajtueshmëri me pretendimet e njerëzve që vaji i kokosit sjell përfitime shëndetësore.

Ata rekomandojnë të limitohet konsumimi i yndyrave të ngopura, dhe të zëvendësohet me yndyra të pangopura të perimeve.

Ndër tjerash, burrat nuk duhet të hanë më shumë se 30g të yndyrave të ngopura në ditë, ndërsa gratë jo më shumë se 20g.

“Ne rekomandojmë të zëvendësohen yndyrat e ngopura me ato të pangopurat në dietën tuaj – duke përdorur vajra në vend të gjalpës dhe duke zgjedhur ushqime si avokado, peshk, arra dhe fara në vend të ushqimeve me nivel të lartë të yndyrave të dëmshme si biskotat, tortat, çokollata dhe mishi me dhjamë”, ka thënë Victoria Taylor nga Fondacioni Britanik i Zemrës për BBC News. /Insajderi.com