Do të duhej veç pak të shkonin gjërat ndryshe dhe lajmi për tragjedinë e Ermal Mamaqit, Inva Mulës e yjeve të tjerë shqiptarë do eklipsonte lajmet e vazhdueshme tragjike për vdekjet nga COVID-19.
Mamaqi, Mula e të tjerë kanë shpëtuar “për fije të perit” pa u djegur të gjallë në makinën që mori flakën, derisa ata po udhëtonin drejt Tropojës, sot, ditën e Kurban Bajramit, shkruan Insajderi.
Lajmin e ka bërë të ditur përmes një video dhe statusi në llogarinë e saj në Facebook shkrimtarja Mirela Sula.
“Zoti donte që ne të shpëtonim”, thotë ajo.
Ende nuk bëhet e ditur se çfarë ndodhi – përse makina u kaplua nga flakët.
Statusi i shkrimtares është i koncentruar më shumë tek lutjet e falënderimet.
“Ermal falë teje jemi gjallë. Imagjino të ishim akoma aty brenda çfarë do ndodhte, ne duhet të jetojmë akoma. Po mos të kishim qenë rob zoti s’do shpëtonim, falë energjisë së mirë. Ua iku furgoni, u zhduk fare. Inva na shpëtoi jetën sot. Ajo na tha të dilnim nga furgoni. Falë teje jemi gjallë”, shprehet ajo.
Nuk dihet as ku po shkonin saktësisht, e për çfarë arsye po udhëtonin në drejtim të Tropojës.
Policia ende nuk ka dalur me të dhëna të detajshme.
Në videon e shpërndarë nga shkrimtarja shihet vetura që po i dilte flaka e tymi, derisa një grumbull njerëzish qetësojnë njëri – tjetrin.