Reperi i njohur, DMX është ndarë nga jeta në moshën 50-vjeçare.
Në vitin 2013 ai ka mbajtur një koncert në Kosovë dhe madje në një video të shpërndarë në rrjete sociale ai shihet duke vallëzuar nën ritmet e këngës shqipe.
Ai ndodhej në gjendje të rëndë prej ditësh në Spitalin White Plains në New York pasi pësoi sulm në zemër me 2 prill. Lajmin e ka konfirmuar familja e tij përmes një deklarate zyrtare.
“Ne jemi shumë të pikëlluar të njoftojmë sot se i dashuri ynë, DMX, emri i lindjes Earl Simmons, vdiq në moshën 50 vjeçare në Spitalin White Plains me familjen e tij në krah pasi ishte në luftë me jetën ditët e fundit.”, thuhet në deklaratë.
Qindra qytetarë u mblodhën pak ditë më parë jashtë spitalit ku ndodhej i shtruar reperi, duke u lutur për të. Reperi, emri i vërtetë i të cilit është Earl Simmons, ka luftuar me varësinë nga droga që nga adoleshenca. Debutimin e tij të parë në rep e bëri në vitet ’90, kur dhe publikoi albumin e parë “It’s Dark and Hell Is Hot”. /Insajderi.com