Vlora Dumoshi me plis mbi kokë e ulur në sofër për Darkën e Lamës

Vlora Dumoshi me plis mbi kokë e ulur në sofër për Darkën e Lamës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me prodhuesit vendorë dhe përfaqësues të bizneseve nga diaspora, ka organizuar të premten mbrëma Darkën e Lamës, një traditë e filluar nga presidenti Ibrahim Rugova.

Në po këtë manifestim të popullit tonë që feston përfundimin e punëve të motmotit dhe shtron në sofër bereqetin e tokës, ishte e pranishme edhe Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, rast të cilin e shënoi edhe më një postim në profilin e saj zyrtar në Facebook, njofton Insajderi.

“E nderuar që marr pjesë sot në Darkën e Lamës, organizuar në Dranoc-Deçan, një manifestim i lashë ky tradicional i popullit tonë. Është ky organizim që simbolizon festën e gëzimit të njeriut që i ka përfunduar të gjitha punët e motmotit, duke vënë mbi të gjitha gëzimin për bereqetin e tokës sonë”.

Duke uruar që një festë e tillë të rrojë ndër breza, për ruajtjen e traditës që gjithnjë të pasqyrojmë bujarinë dhe mikpritjen, ajo shkruan:

“Darka e Lamës është një festë gëzimi, një festë e begatisë dhe e të mirave që falë natyra, është një festë solidariteti dhe e punës së përbashkët të njerëzve që ndihmojnë njëri- tjetrin”.

“Përmes ruajtjes së traditave tona, ashtu siç e nisi edhe vetë Presidenti historik Ibrahim Rugova, dëshmojmë urtësi e dinjitet, çojmë përpara idealet e të parëve dhe pasqyrojmë atë që e kemi aq të çmuar – mikpritjen e bujarinë që na karakterizon si shqiptarë”. /Insajderi.com