Lirika Matoshi në botë njihet si vajza që krijoi fustanin me luleshtryshe. Aq viral u bë nëpër botë fustani i 499 dollarëve, sa njëra prej gazetave më prestigjioze amerikane “New York Times” shkroi një artikull për të, njofton Insajderi.
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi i ka ndarë mirënjohje stilistes së njohur shqiptare, Lirika Matoshi e cila jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Sot, kam takuar stilisten e njohur shqiptare, Lirika Matoshi e cila jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Koleksioni i veshjeve nga stilistja Matoshi me motiv të luleshtrydheve është bërë pjesë e artikullit në një prej gazetave më prestigjioze amerikane, “The New York Times”, shkruan Dumoshi në një postim në Facebook.
Dumoshi shprehet se është shumë e lumtur që po i ndan këtë mirënjohje Matoshit, e cila me veshjet dhe dizajnet e saj unike u bë pjesë e industrisë së modës në Amerikë.
“Jam shumë e lumtur që po ndaj mirënjohje për suksesin e stilistes Matoshi e cila ka arritur të bëhet pjesë e industrisë së modës në Amerikë duke sjellë me stilin unikal, dizajne që influencojnë kohët moderne. Lirika, po kthehet në vendin e saj, për të kontribuar në industrinë e modës dhe për të mbështetur shumë gra kosovare përmes biznesit të saj”.
Lirika Matoshi u kujdes që ministres t’i dhuronte edhe një nga maskat e saj shumë të famshme, që janë punuar nga i njëjti material si fustani me luleshtrydhe. /Insajderi.com