Gjatë ditës së djeshme, Yll Limani publikoi këngën e shumëpritur “Buzët e Kuqe” pikërisht në ditëlindjen e tij të 26, njofton Insajderi.
Kënga e realizuar me videoklip u prit me shumë entuziazëm nga fansat e tij, por ka diçka që ata vërejtën. Ndër shumë komente pozitive nën videon e publikuar në Youtube, disa theksuan edhe një ngjajshmëri të pamohueshme me këngën “Blinding Lights” nga këngëtari kanadez, The Weeknd.
Komentet nuk janë të polarizuara në një drejtim – disa janë të kënaqur që tashmë ka një “Weeknd Shqiptar”, disa e quajmë kokë e këmbë kopjim, e disa thonë se Ylli thjesht është inspiruar.
Kënga “Blinding Lights” nga The Weeknd u lansua para tetë muajsh dhe numëron 245 milionë klikime. Videoklipi i këngës së fundmi rrëmbeu një çmim Grammy si videoklipi më i mirë i vitit. Madje kënga e tij theu rekord në top listat e Billboard, ku qëndroi për 28 javë në “Top 5”, duke thyer rekordin paraprak të këngëtarit Ed Sheeran (27 javë).
E gjithë kjo dëshmon se kënga është gjerësisht e dëgjuar dhe e pëlqyer.
The Weeknd ka gjetur inspirim në muzikën e të 80-tave për shumë nga këngët që ai ka lansuar. Në një intervistë për Billboard ai tha, “Gjithmonë kam pasur një admirim për epokën para se të lindja. Mund ta vëreni që në albumin tim të parë që vitet ’80 – Siouxsie dhe Banshees, Cocteau Twins – luajnë një rol kaq të madh në tingullin tim. Ndonjëherë më ndihmon të krijojë një tingull të ri dhe ndonjëherë është thjesht i qartë. Jam thjesht i kënaqur që bota po e pëlqen”.
Tani, nëse krahasojmë këngën e Yll Limanit dhe këngëtarit kanadez ato kanë një të përbashkët, si harmonia, melodia dhe tingulli dominues i sintit – të gjitha këto karakteristika të muzikës së viteve të 80-ta.
Nuk është një rastësi, Yll Limani në disa postime në llogarinë e tij në Instagram, kishte deklaruar se kënga e ardhshme është fuqishëm e inspiruar nga kjo epokë e muzikës.
Andaj krahasimi i këngës së Yllit dhe The Weeknd nuk është i një krahasim i duhur. Po të rikthehemi në disa nga hitet e padiskutuara të asaj kohe si “Maniac” nga Michael Sembello apo “Young Turks” nga Rod Stewart, do të vërejmë ngjashmëri signifikante e influencë të madhe të asaj periudhe muzikore. Është e sigurt të thuhet se artistët frymëzohen nga njëri tjetri, por kjo nuk zhvlerëson origjinalitetin e një kënge.
Kohëve të fundit, kemi parë një trend të riciklimit të kësaj epoke muzikore. Si shembull albumi i dytë i Dua Lipës, “Future Nostalgia”, që u lansua me 27 mars.
Ndërsa për shumë gjatë kemi parë një rikthim të viteve të 90-ta në industrinë e muzikës e modës, tani vetëm sa ka filluar të vërehet një tendencë e zhvendosjes së një dekade para. /Insajderi.com