Gérard Depardieu është nën hetim zyrtar në Francë për përdhunim dhe sulm seksual, kanë konfirmuar burime gjyqësore për CNN, njofton Insajderi. Ylli i filmit është nën hetim që nga dhjetori i vitit të kaluar, thanë ata.
Ankuesi është një aktore e re që akuzoi aktorin për disa raste të përdhunimit dhe sulmeve seksuale në verën e vitit 2018, shtuan burimet.
Në vitin 2018, aktori francez u akuzua për përdhunim dhe sulm seksual nga një grua 22-vjeçare, duke nxitur një “hetim paraprak” sipas zyrës së prokurorit publik të Parisit.
Në sistemin gjyqësor francez, hetimi zyrtar pason nëse zyrtarët gjejnë arsye për ta ndjekur çështjen më tej.
Avokati i aktorit, Hervé Temime tha në vitin 2018 kur Depardieu u akuzua për herë të parë se klienti i tij ishte “tronditur” nga akuza dhe “mohon plotësisht çdo sulm, çdo përdhunim dhe çdo akt kriminal”.
Gjithashtu në vitin 2018, Temime konfirmoi që Depardieu e njeh gruan që e akuzoi atë, por mohoi që ai kishte qenë me të gjatë datave të përmendura në ankesë.
Depardieu është i njohur për rolet e tij në filma si “Green Card”, “The Man in the Iron Mask” dhe “Life of Pi”. Ai gjithashtu ishte nominuar për një çmim Oskar në vitin 1991 për rolin e tij kryesor në “Cyrano de Bergerac”.
Atij iu dha shtetësia use nga Vladimir Putin pasi tha se ai do të hiqte dorë nga pasaporta e tij franceze në protestë ndaj planeve të qeverisë për një rritje të taksave për më të pasurit. /Insajderi.com