Më shumë njerëz që filmojnë dhunën sesa që protestojnë kundër saj

Më shumë njerëz që filmojnë dhunën sesa që protestojnë kundër saj

Një ditë pas sulmit të parë ndaj një gruaje të komunitetit rom në Kosovë dhe pas protestës së organizuar nga shoqëria civile, një sulm tjetër ndaj po të njëjtës grua është përsëritur një ditë më vonë, të premten.

Protesta e organizuar të enjtën në Prishtinë kundër sulmit turpërues ndaj gruas së komunitetit rom, duket se nuk ka ngritur vetëdijen tek qytetarët, të cilët e sulmuan të njëjtën grua të premten në Ferizaj.

Ndonëse shumica e komentuesve në rrjete sociale janë solidarizuar me gruan e sulmuar dy ditët e fundit, në protestën e së enjtës dolën shumë pak qytetarë.

Madje, më shumë qytetarë janë parë në Ferizaj të premten teksa vetëm po e vështronin e incizonin sulmin ndaj gruas rome përmes telefonëve, sesa që kishin dalë në protestën e së enjtes në Prishtinë – ku pati më pak se 15 protestues.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ende nuk ka arritur ta identifikojë autorin e sulmit në Ferizaj, ani pse sulmuesi shihet qartë në fotografitë dhe videot e ngjarjes të cilat janë publikuar në media.

Zyrtari i Policisë së Kosovës në Ferizaj, Mehmet Alihajdini ka thënë sot se gruaja është ende në Stacionin Policor dhe sipas tij nuk ka shenja të dhunës.

Në një video që ka siguruar Insajderi, sulmuesi shihet ta ketë goditur në fytyrë me grushte dhe shqelma gruan. Por, Alihajdini, thotë se e ka parë vetë dhe nuk ka asnjë shenjë.

Fotografia shihet qartë por Policia ende se ka identifikuar sulmuesin nga Ferizaj

“Nuk vërehen shenjat jashtë, e kam parë edhe personalisht dhe nuk vërehen shenjat por  tash po presim Qendra për Punë Sociale me ardhë edhe  ndoshta do ta dërgojnë të mjeku sipas udhëzimeve të tyre. Sipas të gjitha gjasave Qendra për Punë Sociale do të merret me të, ne do t’i asistojmë sepse nuk ka më asnjë logjikë me e lënë të lirë, për tu sulmuar çdo ditë kështu, dhe do të ia bëjmë një zgjidhje”, ka thënë Alihajdini për Insajderi.

Pas sulmit në Lipjan, ky është sulmi i dytë ndaj gruas rome e cila u bë pre e medieve dhe rrjeteve sociale që kinse ajo po grabitë fëmijë, lajm i cili doli të jetë i rremë pas konfirmimit të policisë.

Edhe pse, tashmë është thënë se gruaja do të mbrohet nga shteti, pa u bërë dy ditë ndodhi e kundërta dhe gruaja u sulmua përsëri./ Insajderi.com