Përtej muzikës, artistët tanë kanë shumë për të na mësuar për marketing dhe media sociale, shembull së fundmi Yll Limani.
Para tre ditësh, Capital T publikoi një foto me modelen e njohur shqiptare, Adrola Dushin në llogarinë e tij në Instagram, më një përshkrim të thjeshtë; vetëm një emoji zemër, njofton Insajderi.
Reagimet ishin të shumta sa i përket këtij postimi të papritur, ku shumë ndjekës e media aludonin për një romancë mes dyshes – dhënë faktin edhe se reperi ishte prezent në festën e ditëlindjes së modeles.
Mirëpo, ata që u treguan skeptik dhe nuk besuan romancën dhe se e gjitha kishte një prapavijë, kishin të drejtë. Dje, reperi publikoi videoklipin e tij të ri për këngën “C’est la Vie” dhe mund t’ia qëlloni kush ishte protagoniste? Pikërisht modelja, Adrola Dushi.
Neologjizmi showmancë, vjen si kombinim i ‘show’ dhe ‘romancë’ dhe si term vetëm tani ka nisur të ketë popullaritet në media. Është e përhapur në kinematografi e produksione televizive si Big Brother. Thënë shkurt, dy persona hiqen si dashnorë për të tërhequr vëmendjen e publikut.
Adrola dhe Capital T – një duartrokitje për perfomancën!
Në anën tjetër, paraqitja e Adrola Dushit në këtë videoklip vjen pak si çudi për publikun, jo për faktin se është paraqitja e saj e parë.
Së pari herë Adrolën e pamë në videoklipin e Eugent Bushpepës që u publikua në shkurt të këtij viti. Si një fanse e muzikës dhe zërit të këngëtarit Bushpepa, Adrola ka treguar se nuk e refuzonte dot ofertën, për të qenë pjesë e këtij klipi.
“Rrësheni ROCKS”, pati deklaruar ajo meqenëse Eugenti dhe Adrola janë me prejardhje nga Rrësheni. Në një postim në llogarinë e saj në Instagram ajo pati thënë se ndoshta nuk do të më shihni më kurrë në një videoklip.
“Ju nuk më keni parë në asnjë videoklip dhe ndoshta nuk do të më shihni më asnjëherë, por këtij djalit, ose më saktë, këtyre djemve nuk i thoja dot JO”, kishte shkruar ajo ndër tjerash në postimin e saj në Instagram.
Por si duket, Adrola nuk i paska rezistuar dot as ofertës së djalit nga Prishtina. /Insajderi.com