fbpx

Biznesmeni që përfitoi miliona euro nga shteti – 30 ditë në paraburgim

Biznesmeni që përfitoi miliona euro nga shteti – 30 ditë në paraburgim

Kur para tri ditësh, kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, Blerim Dina lajmëroi fillimisht për Insajderin, se ishte kërcënuar nga biznesmeni Naim Sallahu dhe  Shaban Lushtaku, kushëriri i kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, përpos të parit të Skenderajt, kishte reaguar edhe biznesmeni Sallahu.

Shefi i OSHP-së: Jam kërcënuar nga një biznesmen dhe një kushëri i Sami Lushtakut

Sallahu i kishte quajtur përralla pretendimet e Dinës, që thoshte se Sallahu bashkë më një person tjetër, e kishin ndalur në një rrugicë në kryeqytet teksa shkonte në banesën e tij pas përfundimit të punës, duke i kërkuar që brenda 30 minutave të takohej me kryetarin e Skënderajt.

Biznesmeni Sallahu për shefin e OSHP-së: Është njeri i shitur

Sallahu është arrestuar dhe i është caktuar masa prej 30 ditë paraburgim. E njëjta masë është caktuar edhe për Shaban Lushtakun, që në videon ekskluzive, shihet teksa shkon deri tek banesa e Dinës, për ti kërkuar takim, por sipas avokatit të tij, Ilir Rama, në atë takim, nuk ka qenë i ftuar kryetari i Skenderajt.

Video Ekskluzive nga kamerat e sigurisë: Frikësimi i shefit të OSHP-sëhttp://www.insajderi.com/hulumtime/gjashte-oret-e-tmerrit-per-shefin-e-oshp-se-frikesimi-sami-lushtaku-dhe-tenderet-milionesh/

Posted by Insajderi on Tuesday, 17 October 2017

Arsyeja e gjithë këtij kërcënimi, sipas Dinës, është një tender 21 milionësh, të cilin Sallahu e ka fituar nga Ministria e Infrastrukturës, por që ndaj këtij vendimi të Ministrisë, në OSHP janë ankuar 13 kompani. Eksperti i angazhuar i OSHP-së për këto ankesa, siç merr vesh Insajderi ka rekomanduar që tenderi të anulohet. E presioni ndaj Dinës lidhet me kërkesën që ai ta injorojë rekomandimin e ekspertit dhe të mos e anulojë këtë tender.

Gjashtë orët e tmerrit për shefin e OShP-së: Frikësimi, Sami Lushtaku dhe tenderët milionësh

Sallahu me kompaninë e tij është përfitues i miliona eurove nga tenderët e financuar me paratë e shtetit. Tenderi i fundit i fituar në Ministrinë e Infrastrukturës, është po ashtu milionësh.

Insajderi ka gjetur se bëhet fjalë për tenderin për ndërtimin e segmentit “Kyqja në R6 (autostrada “Arbër Xhaferri”) deri në Bresalc, në gjatësi prej 21.6 kilometrash të autostradës “Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë”.

Ky tender ishte shpallur me 21 maj të këtij viti dhe kishin konkurruar fiks 16 kompani por kompania “Sallahu” e ka fituar tenderin me një ofertë prej 21 milionë e 478 mijë eurosh. Çmimi i kësaj kompanie nuk ishte më i ulëti. Aty ka pasur kompani që kanë ofertuar edhe me 11 milionë euro.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se “nëse gjendet se ky tender është dhënë në mënyrë të dyshimtë ai do të përmbyset”.

Ministri i infrastrukturës deklarohet për tenderin që u kërcënua shefi i OSHP-së

Por Sallahu në reagimin e tij kishte shkruar se krejt deklaratat e Dinës, janë një trillim dhe në kuadër të një fushate të financuar nga kompanitë konkurrente të “Sallahut” duke e quajtur Dinën edhe “njeri i shitur”.

Sallahu kishte mohuar çdo mundësi që ai ta ketë ndalur Dinën dhe ti ketë kërkuar që të takohet me Sami Lushtakun. Këtë e kishte mohuar edhe vet Sami Lushtaku për Insajderin.

Por sipas “kërkesës or caktimin e paraburgimit” nga Prokurori i Shtetit për Gjykatën Themelore në Prishtinë, thuhet se Sallahu me 16 tetor, rreth orës 16:00, së bashku me Shaban Lushtakun dhe dy personat e tjerë deri më tani të pa identifikuar, “me qëllim që vetit t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, përmes forcës dhe kanosjes, kanë detyruar personin tjetër, të kryej ndonjë veprim në dëm të pasurisë publike”.

Sipas dokumentit që e ka Insajderi, thuhet se Sallahu së bashku me një person tjetër deri më tani të pa identifikuar, e kanë ndalur Dinën për çështjen e tenderit 21 milionësh, që është ishte në shqyrtim e sipër në OSHP.

Në këtë dokument të Prokurorit të Shtetit, thuhet se Sallahu me personin tjetër, “fillimisht kanë tentuar që me forcë ta fusin në një lokal aty afër, por kur i dëmtuari nuk ka pranuar, i dyshuari Sallahu e ka kanosur seriozisht me jetë, duke ju drejtuar se ‘ky tender ka vlerën e 21 milionë eurove dhe se kjo punë duhet të kryhet dhe të kushton me jetë’”.

Më pas në dokument tregohet se Sallahu e ka detyruar Dinën që të flasë me një person të panjohur në telefon përmes aplikacionit “WhatsApp” – e që sipas Dinës ai person ka qenë Sami Lushtaku – duke i thënë se “për gjysmë ore shihemi në Grand Store” por që Dina nuk kishte pranuar.

Arsyeja pse gjykata i ka caktuar 30 ditë paraburgim biznesmenit Sallahu dhe Shaban Lushtakut, ka të bëjë me “faktin se me gjetjen e të dyshuarve në liri, ekziston rreziku që të njëjtit të arratisen, ku dyshohet se në kryerjen e kësaj vepre penale, kanë marrë pjesë edhe dy persona të tjerë të panjohur të cilët ende janë në arrati, dhe nëse të njëjtit janë të lirë, ekziston rreziku i ikjes”.

E Sallahu në deklaratën e tij dhënë organeve të drejtësisë, ka thënë se kompania e tij ka 300 punëtorë. Më pas ka dhënë një propozim për Gjykatën në këmbim të lirisë.

“Nëse nuk jam i pranishëm mundë bllokohet biznesi dhe jam i gatshëm të paraqitem në çdo moment pranë kësaj gjykate”, thuhet në dokumentin që ka siguruar Insajderi.

Këtë propozim Gjykata nuk e ka pranuar, dhe kësisoj biznesmeni që ka përfituar miliona euro nga buxheti i shtetit, tashmë ndodhet në paraburgim prej 30 ditësh./Insajderi.com

Tenderi 21 milionësh për të cilin Dina thotë se u kërcënua nga biznesmeni dhe kushëriri i Lushtakut