Një veturë e lirë dhe një veturë e shtrenjtë të qojnë në pikën e destinuar njëjtë si një orë e lirë dhe një orë luksoze tregojnë kohën – larg praktikes, njerëzit paarsyeshëm, përsëri i duan.
Këtu theksohet ‘kultura e luksit’ që është diçka që njerëzit o e jetojnë o nuk e kuptojnë. Është një vlerësim kolektiv i më të mirave të jetës, gjërave të shtrenjta, jetës së suksesshme dhe shoqërisë së lartë.
Në fund të fundit, njerëzit gjykojnë se sa i zgjuar, me shije, tërheqës dhe i suksesshëm jeni bazuar në indikatorë vizualë.
Edhe të famshmit tanë nuk i ka bërë ballë tundimit për të pasur në kyçin e dorës disa nga mekanizmat manualë më të sofistikuar dhe përzierjet më të shtrenjta të metaleve për një orë luksoze.
Disa nga orët që vënë artistë si Capital T, Mozzik, Loredana, Arta Elezi arrijnë çmimin e një shtëpie që jeton një qytetar i Kosovës, njofton Insajderi.
Llogaritë në Instagram, që identifikojnë brendet që këta të famshëm frekuentojnë (si @what.they.wearin që do i referohemi për artikullin), në vazhdimësi kanë zbuluar edhe çmimet që paguajnë për artikujt luksozë.
Së fundmi, Arta Elezi pushtoi titujt e mediave roze, kur u pa me një orë dhjetëra mijëra eurosh. Sipas llogarisë në Instagram, ora është e markës “Hublot” e punuar me ari 18 karat dhe diamante, që kap çmimin e 30.850 eurove.
Edhe reperi Dardani u pa me një orë vezulluese në kyçin e tij të dorës të markës “Audemars Piguet”, e cila arrin çmimin 48.900 euro.
Morena Taraku u shfaq me një orë nga marka “Bvlgari” që ishte e stiluar si një gjarpër rreth kyçit të dorës e gjitha me gurë diamanti, që shitet me çmimin prej 59.800 eurosh.
Adelina Tahiri e martuar me biznesmenin maqedon, Serjoza Markov, është parë me një orë të “Hublot” që arrin çmimin 13.150 euro.
Me orët më të shtrenjta kemi parë aktorin Blerim Destani, i cili ka një shije të hollë dhe specifike që mbanë në dorë, e që kanë çmime mjaft ‘të kripura’, si kjo e markës “Richard Mille”, që shitet me çmimin 128.900 mijë euro.
Edhe ora e reperi Noizy arrin 6 shifra, si në rastin kur u pa me një orë nga marka “Audemar Piguet”, që ka vlerën e 115 mijë eurove.
Getoar Selimi një fans i markave luksoze si Gucci e Versace, u shfaq me një nga orët e tij të markës “Hublot” që arrin çmimin e 32 mijë eurove.
Loredana shpeshherë është parë me ora të markës “Rolex” si ora e artë që ka çmimin 26.000 euro.
Mozzik gjithashtu pëlqen orët “Rolex”, si kjo që tregon edhe datën e që ka çmimin 31.900 euro.
Një tjetër i famshëm që pëlqen orët “Rolex” është edhe reperi Capital T, i cili shpeshherë është parë me një të tillë që arrin çmimin prej 12.600 eurosh. Në fakt, kjo është njëra ndër orët luksoze që ai vë, meqenëse reperi është parë me një llojllojshmëri të brendeve luksoze, ndonëse për njërën ishte raportuar se nuk ishte produkt origjinal. /Insajderi.com