Forcat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë, kanë rritur prezencën e trupave në dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak si dhe ka shtuar patrullimin në këtë pjesë të vendit.
Sipas përgjigjes nga Zyra për Media në kuadër të KFOR-it, për Shqip.com thonë se këto masa janë marrë “për t’i mundësuar KFOR-it t’i përgjigjet shpejt të gjitha sfidave të sigurisë”.
“Për të rritur vetëdijen tonë për situatën, Komanda Rajonale e KFOR-it në Lindje ka rritur praninë e saj në afërsi të pikave të kalimit JARINJE dhe BRNJAK, ka krijuar disa pika të kontrollit të trafikut dhe ka shtuar patrullimin në zonë së bashku me MSU-në e Karabinierëve dhe EULEX-it”, thuhet në përgjigje.
Ndërsa u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i “shmangin veprimet e njëanshme dhe të përmbahen nga dhuna”.
Gjithashtu, kanë vazhduar të përsërisin gatishmërinë për veprim në çdo rast nëse rrezikohet stabiliteti i vendit.
Çka ndodhi më 31 korrik dhe 1 gusht që ngriti tensione në veri?
Në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht u rritën tensionet, pasi serbët lokalë ngritën barrikada për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës: atë për targat dhe dokumentet serbe.
Më 29 qershor, në një mbledhje të rregullt, Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet për hyrjen të shtetasve të Serbisë në Kosovë, si dhe për mundësinë e riregjistrimit të veturave me targat e qyteteve në Kosovë – të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë – me ato RKS.
Në vendim thuhet se “çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, do të pajiset në pikëkalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë”.
Marrëveshja për lirinë e lëvizjes në mes të Prishtinës dhe Beogradit u arrit në Bruksel në vitin 2011 nga asokohe negociatorët Edita Tahiri nga Kosova dhe Borko Stefanoviq nga Serbia.
Pika 3 e marrëveshjes thotë se “Secila palë mund të aplikojë një sistem ku kartat e identitetit do të shoqërohen me dokument të shkruar hyrje/dalje për personat nga vendi tjetër”.
Këtë letër, ideja e së cilës ishte që të përfaqësonte neutralitet në raport me dokumentet shtetërore të të dyja vendeve, nga viti 2011 Serbia ia lëshon çdo shtetasi të Kosovës që futet në territorin e Serbisë. E njëjta marrëveshje parasheh që në Kosovë të përdoren vetëm targat RKS ose KS. Targat KS nga shtatori i vitit 2020 më nuk lëshohen nga autoritetet kosovare.
Kjo pasi më 2016 palët u pajtuan që targat KS të përdoren edhe për një periudhë pesëvjeçare.
Lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje Serbia e pati zbatuar menjëherë ndaj shtetasve të Kosovës, por jo edhe Kosova ndaj shtetasve serbë.
Në veri u shkaktuan edhe tensione në katër komuna me shumicë serbe, ku popullata lokale e përkrahur nga përfaqësuesit politikë serbë bllokuar rrugët në drejtim të dy pikave kufitare, Jarinjë e Bërnjak.
Pas tensioneve, bllokimit të rrugëve në veri dhe ndërhyrjes ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës u pajtua që të shtynte lëshimin e formularëve për shtetasit serbë deri në fillim të shtatorit, si dhe periudhën dymujore për riregjistrimin e targave.
Më 1 gusht, barrikadat u hoqën, por NATO ka përsëritur se KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë, nëse rrezikohet stabiliteti.
Pse NATO është në Kosovë?
Trupat paqeruajtëse të NATO-s hyn në Kosovë pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve serbe në Kosovë dhe Serbi, që zgjati 78 ditë.
Bombardimet u ndërpren më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Rezoluta ishte kompromis i pesë anëtareve të përhershme të Këshillit të Sigurimit.
Në bazë të rezolutës në Kosovë u vendos administrata e përkohshme e OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin e shkatërruar nga lufta, për një periudhë tranzitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Aktualisht, numri i trupave të KFOR-it është zvogëluar dhe në vend janë mbi 3,700 trupa nga 28 shtete të botës.