Kompania kosovare që po dëmtohet nga vendimi i ZRRE-së së udhëhequr nga ish- menaxherët e KEDS-it

Kompania kosovare që po dëmtohet nga vendimi i ZRRE-së së udhëhequr nga ish- menaxherët e KEDS-it

Një kompani kosovare dy herë radhazi ka kërkuar t`i jepet leje për vetëkonsum me fuqi 1000kË, por është refuzuar nga KEDS. Ajo është ankuar edhe në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) e cila e ka “konstatuar” se kompania nuk e plotëson kushtin ligjor për aplikimin si konsumator prodhues për vetëkonsum”.  Ky vendim dëmton bizneset që prodhojnë energji solare dhe favorizon KEDS-in, kompaninë ku kishin shërbyer shefat e ZRRE-së.

Kompania “BRICKOS” nga Kamenica, nuk po mund të shfrytëzoj energjinë solare për shkak se KEDS dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë, nuk  po lejojnë këtë gjë.

Fillimisht kjo kompani kishte kërkuar nga KEDS që t`i  jepet leje për vetëkonsum me fuqi 1000kË.

Me 17 gusht të vitit të kaluar KEDS i ka lëshuar pëlqimin Elektroenergjetik për vetëkonsum me fuqi maksimale prej 500kË. Kompania  e përsëriti kërkesë duke kërkuar pëlqim për lejimin e kyçjes së paneleve solare me fuqi 1000kË.

Një muaj më vonë me 17 shtator KEDS i lëshon kompanisë një informatë në të cilën i thotë se është analizuar kërkesa e tyre, “mirëpo nuk ju lejohet instalimi prej 1000kË” duke ua kujtuar se në muajin gusht u është lejuar instalimi prej 500 kË.

Pas kësaj përgjigje kompania “Brickos” u drejtua në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë me kërkesën për shqyrtimin e pëlqimit elektroenergjetik dhe refuzimin për lëshimin e pëlqimit.

Zyra e Rregullatorit për Energji, me 19 shkurt e ka refuzuar ankesën e kompanisë “Brickos”. Bordi i ZRRE-së ka konstatuar se “Brickos” nuk e plotëson kushtin ligjor për aplikimin si konsumator prodhues për vetëkonsum”.

Në arsyetimin e refuzimit ka përmendur rregullën Nr.10/2017 për Skemën Mbështetëse për Gjeneratorët e Burimeve të Ripërtrishme.

“Çdo konsumator i energjisë elektrike i kyçur në tensionin e ulët të rrjetit të shpërndarjes mund të aplikojë tek furnizuesi i tij për të marrjen e statusit të konsumatorit prodhues, në përputhje me nenin 27 të rregullës së procedurës së autorizimit dhe në përputhje me formularin e aplikimit në shtojcën 3 dhe të njëjtin aplikacion duhet ta dorëzojë në rregullator”, citon nenin 20 të kësaj rregulle.

ZRRE duke u bazuar në këtë dispozitë konstaton se rregulla e definon qartë që kufizimi për aplikim për vetkonsum është i kufizuar me nivelin e tensionit.

“Pra një konsumator për të aplikuar për kyçjen e paneleve solare objektin e tij duhet ta plotësoj kushtin ligjor të përcaktuar në rregullën nr.10/2017 për Skemën Mbështetëse për Gjeneratorët e Burimeve të Ripërtritshme”.

Sipas dispozitave ligjore të rregullës nr.10/2017 për Skemën Mbështetëse për Gjeneratorët e Burimeve të Ripërtrishme, çdo konsumator i cili është kyçur mbi nivelin e tensionit 0.4 kv nuk mund të aplikojë tek furnizuesi për të fituar statusin e konsumatorit prodhues për vetkonsum, andaj edhe ankesa/kërkesa e konsumatorit refuzohet si e pabazuar.

Ky vendim dëmton bizneset që prodhojnë energji solare dhe favorizon KEDS-in, kompaninë ku kishin shërbyer shefat e ZRRE-së. Insajderi ka raportuar se Petrit Pepaj, tani anëtar bordi në ZRRE, dikur kishte qenë menaxher i lartë në KEDS. Izet Rushiti, po ashtu ish-menaxher i lartë në KEDS. Edhe anëtari tjetër i ZRRE-së, Selman Hoti, dikur kishte punuar si menaxher në kompaninë turke.

Kompania “Brickos” e konsideron këtë vendim krejt të palogjikshëm.

Në një përgjigje për Insajderin, përfaqësuesi i kësaj kompanie Mustafë Borovci tha se presin që ZRRE të marrë veprime në favor të tyre.

“Vendimi i ZRRE është krejt i palogjikshëm. Ata mund edhe të gjejnë ndonjë interpretim tekniko-byrokratik për të na refuzuar, por përmbajtësish skema e vetekonsumit nuk ka kuptim nëse i përjashton konsumatorët e mëdhenj”, tha Borovci.

Borovci tha se në një takim që kanë zhvilluar me kryeministrin Ramush Haradinja, dhe kryesuesin e bordit të ZRRE-së si konkludim ka dal që të ndryshohet rregulla 11/2017 që të mund të kyçen edhe konsumatorët e mëdhenjë.

“Tani po presim për veprimet e ZRRE”, tha Borovci.

Për takimin e 14 marsit me përfaqësues të bizneseve, ZRRE, kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës dhe të Odës Ekonomike Amerikane, kryeministri Ramush Haradinaj tha se u njoftua për sfidat e sektorit privat në raport me tregun e hapur dhe koston e energjisë elektrike.

“Me qëllim të mbështetjes së prodhuesve vendor, i sigurova se shqetësimet e tyre do të adresohen dhe në vazhdimësi do të zhvillohen politika të favorshme që fuqizojnë sipërmarrësit”, tha Haradinaj.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk është përgjigjur në pyetjet e Insajderit lidhur me çështjen e Mekanizmit të vetëkonsumit.

Kjo trupë rregullative nuk ka marrë pjesë as në tryezën e thirrur nga Oda Ekonomike e Kosovës, para dy jave.

Aty diskutohej shqetësimi i bizneseve për çështjet e vetëkonsumit të energjisë elektrike, si alternativë e vetme e shumë bizneseve të cilat për vite me radhë kanë subvencionuar tërë sektorin energjetik.

Kryetari i Odër Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi fillimisht njoftoi se përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë kanë qenë të ftuar në këtë takim, megjithëse kanë refuzuar të marrin pjesë.

Rukiqi beson se ZRRE ka filluar ta keqkuptojë rolin që ka. Ai tha se ZRRE mund të jetë mekanizëm i pavarur politikisht, por ata nuk janë të pavarur nga përgjegjësia publike.

Ai ka deklaruar se vendimet e dëmshme të ZRRE-së mund të çojnë në falimentimin e dhjetëra kompanive kosovare.

Shkak për këtë, sipas Rukiqit, është vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që detyron bizneset e mëdha të Kosovës, të cilat janë të lidhura me tensionin 10kv dhe 35kv  t’iu bashkohen konsumatorëve të lidhur në 110kv dhe 220kv dhe të gjejnë zgjidhje të tjera për furnizimin e tyre me energji elektrike.

“Nëse nuk ka veprime të shpejta për shtyerje të zbatimit të rregullave të reja të tregut të energjisë, deri në krijimin e kushteve për konkurrencë në këtë treg, dhjetëra kompani prodhuese rrezikojnë të falimentojnë ose te zhvendosen në vende tjera”, paralajmëroi kryetari i OEK-ut javën e kaluar.

Pasi zyrtarët e ZRRE-së shpërfillën tryezën e thirrur nga Oda Ekonomike e Kosovës javën e kaluar, që kishte për qëllim diskutimin e një zgjidhjeje për qindra biznese që nuk po u lejohet investimi në energjinë e ripërtërishme, ka reaguar Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Përmes një komunikatën për media, ZRRE, e cila udhëhiqet nga ish-menaxherët e KEDS-it, ka thënë se nuk qëndrojnë deklarimet se ky institucion nuk do t’i dëgjojë ankesat e konsumatorëve, ndonëse nuk ka ofruar ende asnjë zgjidhje për problemet e tyre.

Sipas kësaj komunikate ZRRE deri më tani e ka dëshmuar se nuk ka zhvilluar asnjë proces rregullativ pa përfshirjen e të gjitha palëve.

Ndërsa sa i përket hapjes së Tregut të Energjisë, thuhet se ky është një proces i gjatë që është iniciuar vite me parë.

“Bordi i ZRRE në mbledhjen e tij të mbajtur më 18 janar 2017, ka aprovuar Udhëzuesin për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë. Udhëzuesi, përveç që shërben si udhërrëfyes për veprimet që do të ndërmerren nga të gjithë akterët drejt funksionalizimit të Tregut të lirë të energjisë elektrike, po ashtu definon mënyrën, kushtet dhe kohën e hapjes së tregut të energjisë elektrike në Kosovë, në nivelin e Prodhimit dhe Furnizimit të energjisë elektrike”.

“Si pasojë e mungesës së konkurrencës efektive, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe parandalimit të abuzimit me pozitën dominuese të furnizimit me energji elektrike, Bordi ka vendosur që të përcaktojë Obligimet e Shërbimit Publik për furnizues të ofrimit të Shërbimit Universal me energji elektrike”, thuhet në komunikatën e ZRRE-së.

Gazeta Online Insajderi vitin e kaluar, dëshmoi për lidhjen e kompanisë private KEDS me organin e pavarur që ka për qëllim rregullimin e sektorit energjetik në Kosovë.

Gjatë viteve të fundit, KEDS ka përfituar miliona euro nga vendimet e ZRRE-së në favor të saj. Arsyeja që e shtyn Bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë të marrë vendime në favor të KEDS-it është fakti që ky bord udhëhiqet nga ish-menaxherët e KEDS-it.

Petrit Pepaj, tani anëtar bordi në ZRRE, dikur kishte qenë menaxher i lartë në KEDS. Izet Rushiti, po ashtu ish-menaxher i lartë në KEDS. Edhe anëtari tjetër i ZRRE-së, Selman Hoti, dikur kishte punuar si menaxher në kompaninë turke. /Insajderi.com

Lexo më tepër rreth kësaj teme:

ZRRE-ja e udhëhequr nga ish-menaxherët e KEDS-it shpërfill Odën Ekonomike

Oda Ekonomike e Kosovës: ZRRE nuk do t’i dëgjojë kërkesat e shqetësimet e bizneseve

ZRRE shkon në takim me Haradinajn dhe përfaqësuesit e bizneseve të cilët i kishte injoruar

ZRRE-ja udhëhiqet nga ish-menaxherët e KEDS-it

Skandalet ndër vite të kompanisë famëkeqe KEDS

Ekskluzive: Takimi i mistershëm i drejtorit të ZRRE-së me dy shefat e KEDS-it