Inspektoriati Policor konfirmon se Rashit Qalaj gënjeu kur deklaroi se “tezaku e ka hetuar tezakun”

Njomza Salihi

Inspektoriati Policor konfirmon se Rashit Qalaj gënjeu kur deklaroi se “tezaku e ka hetuar tezakun”

Rashit Qalaj, drejtori i Policisë së Kosovës, del të ketë gënjyer kur ka thënë se “tezaku e ka hetuar tezakun” në skandalin për marrje të haraçit, ku ishte i përfshirë Hetuesi i lartë i Krimeve Ekonomike, Lavdim Osmani që është tezak me Bashkim Spahiun, shefin e Krimeve Ekonomike. Inspektorati Policor ka konfirmuar se i gjithë hetimi është kryer nga vetë ata.

Hetuesi i lartë i Krimeve Ekonomike, Lavdim Osmani, ishte arrestuar mbrëmjen e 5 shkurtit në Prishtinë – teksa ishte zënë në flagrancë duke marrë haraç nga një biznesmen.

I njëjti është tezakë me shefin e Krimeve Ekonomike, Bashkim Spahiun.

“Është e vërtetë qe me hetuesin Lavdim Osmani që ka qenë target hetimi kam një relacion familjar, prindërit tanë babi im dhe i hetuesit janë fëmijë të dy motrave që ne i thojmë tezak”, pati thënë Spahiu një ditë më pas në një konferencë për media teksa fliste për rastin, shkruan Insajderi.

Më tej Spahiu pati thënë se kjo nuk do ta zbeh qasjen e tij dhe as të stafit mbikëqyrës për t’i hetuar këto raste.

Se ky rast është hetuar nga vetë Spahiu në bashkëpunim me Inspektoratin Policor pati thënë edhe i pari i Policisë, Rashit Qalaj

“Nëna e Bashkim Spahiut dhe ajo e policit të arrestuar i kanë nënat motra, pra gjyshet e tyre janë motra. Spahiu ka qenë i përfshirë vet në hetime për familjarin, e këtë konsideroj shumë të mirë pasi kur arrijmë të hetojmë edhe familjarët konsideroj se po kryhet puna mirë”, pati thënë Qalaj më 13 shkurt në Rubikon, transmeton Insajderi.

Madje Qalaj pati insistuar se nuk do të hezitojnë t’i arrestojnë të gjithë zyrtarët policorë që e shkelin ligjin dhe atë pa ndikime nga jashtë.

“Ka raste kur bëjmë hetime të përbashkëta me Inspektoratin. Puna e Inspektoratit e ndihmon Policinë që të jetë më e mirë. Në Polici është krijuar një klimë që secili rast të hetohet pa ndonjë ndikim, e nëse ka shkelje të ligjit atëherë personat do të marrin dënimin e merituar”.

Pro krejt këto deklarata të tij kanë rënë në ujë.

Inspektorati Policor i ka thënë Gazetës Insajderi se i gjithë rasti “për marrje të haraçit” është hetuar vetëm nga ky institucion.

Ky institucion ka përgënjeshtruar kështu deklaratën e Rashit Qalajt se “tezaku ka hetuar tezakun”.

Sipas po PIK-së ne hetim nuk ka qenë i përfshirë Njësiti i Krimeve Ekonomike, që udhëhiqet nga Bashkim Spahiu, tezaku i Lavdim Osmanit.

“IPK më autorizim të  Prokurorisë Themelore të Prishtinës ka zhvilluar hetime disa mujore në rastin që ka rezultuar me arrestimin e hetuesve të Krimeve ekonomike”.

“Ky rast është hetuar nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe nuk ka kanë qenë të përfshirë në hetim Njësiti i krimeve  Ekonomike të Policisë, hetimet në këtë rast janë ende duke vazhduar”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Gazetën Insajderi.

 

Lexo edhe: 

PDK cakton Elmi Reçicën mbikëqyrës të Rashit Qalajt

Rashit Qalaj – mban në punë 337 policë në kundërshtim me gradat – dëmton buxhetin për 200 mijë euro në vit

“Djelmoshat” e Elmi Reçicës që kontrollojnë Policinë e Kosovës

Ekskluzive: Rashit Qalaj i përfshirë në marrëveshjen sekrete për të shtypur protestuesit e opozitës në Shqipëri

 

insajderi.com