fbpx

Ministri i shkarkuar për fyerje ndaj shqiptarëve shpenzoi mbi 14 mijë euro për dreka zyrtare

Ministri i shkarkuar për fyerje ndaj shqiptarëve shpenzoi mbi 14 mijë euro për dreka zyrtare

Ivan Todosjevic, ministri i shkarkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj pasi i quajti shqiptarët terroristë e masakrat në Kosovë të trilluara, dhe dy zëvendësministrat e Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal, Bashkim Krasniqi e Beqir Fejzuallahu kanë shpenzuar mbi 14 mijë euro të taksapaguesve vetëm për dreka zyrtare. Njëri nga zv/ministrat madje e ka tejkaluar shumën e ndarë për reprezentacion, në të paktën katër muaj.

Zëvendësministri i Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal, Bashkim Krasniqi të paktën katër herë që nga marrja e mandatit, në vitin 2017 e ka tejkaluar shumën e lejuar nga buxheti i shtetit për dreka zyrtare.

Krasniqi, e ka tejkaluar këtë shumë për mbi 200 euro. Këto shpenzime pastaj Krasniqit i janë ndalur nga paga mujore, shkruan Insajderi.

“Zv.ministri Bashkim Krasniqi ka tejkaluar shumën e lejuar për reprezentacion gjatë muajve nëntor-dhjetor 2017 dhe janar 2018 në vlerën 223 euro, të cilat sipas ministrisë i i janë ndalur nga paga e muajit mars”.

“Po ashtu, në muajin korrik 2018 ka pasur tejkalim të shpenzimeve të reprezentacionit në vlerën prej 44.30 euro që i janë ndalur nga paga”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Kjo ministri ka ofruar qasje Gazetës Insajderi në shpenzimet e ish-ministrit Ivan Todosjevic, dhe sy zëvendësministrave Bashkim Krasniqi e Beqir Fejzullahu, që nga marrja e mandatit në vitin 2017 deri në mars 2019.

Shpenzimet më të mëdha këta tre zyrtarë i kanë bërë nga kategoria dreka zyrtare, në total 14 mijë e 178 euro, shkruan Insajderi.

Vetëm ministri i shkarkuar Todosjevic ka shpenzuar 8 mijë e 471 euro, Bekim Krasniqi 3 mijë e 380 kurse Beqir Fejzuallahu 2 mijë e 327.

Kjo ministri ka sqaruar se për periudhën shkurt-mars nuk ka të dhëna ende pasi që thonë se faturat nuk janë dërguar në Divizionin për Buxhet dhe Financa dhe rrjedhimisht ato as nuk janë paguar, shkruan Insajderi.

 MAPL mbi 6 mijë euro udhëtime zyrtare

Udhëtime zyrtare jashtë vendit, ku përfshihen shpenzimet për ushqim, meditje, akomodim, bileta aeroplani, taxi, sigurim shëndetësor, viza, ish-ministri i MAPL-së Ivan Todosjevic dhe dy zëvendësministrat kanë shpenzuar 6 mijë e 579 euro.

Këto shpenzime sipas MAPL-së janë nga viti 2017 deri në vitin 2019. Vetëm ministri Todosjevic ka harxhuar 4 mijë e 358 euro. Ndërsa Bashkim Krasniqi mbi dy mijë euro kurse Beqir Fejzullahu 200 euro. 

MAPL i blen telefon 700 euro zv/ministrit

Me buxhet të shtetit Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal i ka blerë telefon 700 euro, zëvendësministrit Bashkim Krasniqi, qysh në fillim të mandatit të tij.

Përvec tyre deri në mars të këtij viti Krasniqi ka shpenzuar edhe 863 euro të tjera nga kategoria shpenzime telefonike.

Bazuar në të dhënat e ofruara nga MAPL në total ministri dhe dy zëvendësministrat për telefona kanë shpenzuar 4 mijë e 871 euro.

Plot 3 mijë e 266 euro vetëm ministri Ivan Todosjevic.

Departamenti i financave në këtë ministri ka sqaruar për Insajderin se telefoni në shfrytëzim nga ministri nuk është paguar me buxhet shtesë

“Por ka qenë pjesë e marrëveshjes në kuadër të pakos mujore që ka ofruar IPKO duke u bazuar në nivelin e shpenzimeve të lejuara mujore për ministrin”, thuhet në përgjigjen e ministrit.

Ndërsa zv.ministri tjetër Beqir Fejzullahu nuk posedon pajisje telefonike që është në pronësi të MAPL-së, por ka shpenzuar 741 euro, shkruan Insajderi.

700 euro qira për veturat që përdorë ministri dhe zv/ministri

Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal nuk ka blerë vetuar që nga viti 2012, por kjo ministri paguan qera për veturat që përdorë ministri dhe zëvendësministrat.

Janë të paktën dy vetura për të cilat ministria paguan qera,  të cilat i shfrytëzon në bazë të kontratës që ka më Agjensinë Qendrore të Prokurimit.

Kjo ministri paguan mbi 700 euro qera mujore nga taksat e qytetarëve, shkruan Insajderi.

“O.E. “Mercom” – 1 veturë Peugeot 508 nga data 07.05.2018. Vlera mujore e qirasë për këtë veturë është 497 euro. Vetura është shfrytëzuar nga ministri Ivan Todosjevic”.

“O.E “Automita” – 1 veturë Dacia Sandero nga data 04.02.2019. vlera mujore e qirasë për këtë veturë është 247 euro. Vetura shfrytëzohet nga zv/ministri Beqir Fejzullahu (deri në muajin janar 2019, që nga marrja e mandatit Beqir Fejzullahu ka pasur në shfrytëzim veturën Hyunday Accent, e cila ishte blerë nga buxheti i MAPL-së në vitin 2012) ndërsa tani është në kuadër të administratës”, thuhet në përgjigjen  e MAPL-së.

Sipas kësaj ministrie zëvendësministri Bashkim Krasniqi, shfrytëzon një veturë të tipit, Hyunday Accent, e cila është blerë nga buxheti i MAPL-së në vitin 2012.

Gazeta Insajderi ka kërkuar qasje në shpenzimet e Zyrës  së Kryeministrit dhe të gjitha ministrive, por vetëm shtatë ministri kanë ofruar qasje në dokumentet e kërkuara.

Brenda afatit ligjor, të paraparë me ligjin për Qasje në Dokumentet Publike, kanë kthyer përgjigje Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rajonal, Ministria për Kthim dhe Komunitete dhe Ministria e Integrimeve.

Shumica prej tyre ofruan qasje në shpezimet e kërkuara nga gazeta, për ministrin, zëvendësministrat, këshilltarët dhe anëtarët tjerë të kabinetit. Por disa nga to orfuan vetëm shumën për paga dhe shpenzime tjera, pa u specifikuar./Insajderi.com

Lexo më shumë lidhur me këtë temë: 

Vëllai i ish-ministrit mori afër 5 mijë euro pagë nga shteti, pa shkuar në punë

Ministrja Hoxha shpenzon rreth 50 mijë euro të taksapaguesve për udhëtime jashtë vendit

Lekaj me zëvendësministra shpenzojnë mbi 90 mijë euro për paga e shpenzime operative

Mijëra euro për udhëtime, dreka e mëditje- shpenzimet e ministrit Jevtiq dhe zëvendësve të tij

Ministri Hamza mijëra euro shpenzime për paga, meditje, udhëtime zyrtare e karburante

“Ministri i skandaleve” dhe mijëra eurot e shpenzuara për udhëtime e dreka