Skandali me gradat – IPK konfirmon edhe një gënjeshtër të Rashit Qalajt

Njomza Salihi

Skandali me gradat – IPK konfirmon edhe një gënjeshtër të Rashit Qalajt

Rashit Qalaj është përgënjeshtruar edhe një herë nga institucioni që e mbikëqyr punën e tij. Këtë herë për skandalin e gradimeve. Tetë policë vitin kaluar ishin ishin ngritur në detyrë teksa kishin probleme me ligjin – i pari i Policisë tha se hetimet ndaj tyre kishin përfunduar, por ndryshe mendon IPK.

 

Drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, më 5 prill të vitit të kaluar, kishte ngritur në detyrë tetë policë që kishin problem me ligjin.

Të njëjtit po hetoheshin nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe për krejt këtë proces Rashit Qalaj, ishte njoftuar më 4 prill, vetëm një ditë para ceremonisë së gradimeve.

Gazeta Insajderi në hulumtimin e publikuar më 3 mars 2020 ka zbuluar në detaje se cili polic për çka hetohet.

Kështu Hamit Rukiqi dhe Fazli Fazliu kanë marrë gradën e Kapitenit, përkundër se të dy hetohen për privim të kundërligjshëm të lirisë, lidhur me rastin e depërtimit të gjashtë shtetasve turq, zbulon Insajderi.

Saim Jonuzi e ka marrë po ashtu gradën e Kapitenit, përkundër se Rashit Qalaj është njoftuar nga Inspektorati Policor se i njëjti hetohet për mashtrim në rastin e invalidëve të luftës.

Po për të njëjtën vepër hetohen edhe Avni Zabeli dhe Mahmut Salihu të cilët e kanë marrë gradën Major.

Në anën tjetër pjesëtarët  Arsim Berisha dhe Valdet Bujupi kanë graduar si Nënkolonelë. Edhe këta të dy hetohen nga drejtësia për mashtrim në rastin e veteraneve të luftës, zbulon Insajderi.

Më 4 mars 2020 ndaj hulumtimit të Insajderi ka reaguar institucioni i drejtuar nga Rashit Qalaj.

Në përgjigjen e tyre të cilën gazeta e kishte kërkuar për një javë, por që kishte ardhur si reagim vetëm një ditë pas publikimit të shkrimit thuhet se “policët e hetuar nuk kanë qenë nën hetime dhe janë rekomanduar për gradim”.

“PK-ja sqaron se para çdo procesi të gradimit, listën e zyrtarëve për gradën përkatëse, e dërgon në Drejtorinë për Hetime të Brendshme dhe Verifikim të së Kaluarës, me qëllim të kryerjes së verifikimit të së kaluarës dhe ky verifikim kryhet në bashkëpunim shumë të ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës”, thuhet në reagimin e Policsë, transmeton Insajderi.

“Informacionet e publikuara në artikull se disa zyrtarë të PK-së janë graduar duke qenë nën hetime, sqarojmë se Drejtoria për Hetime të Brendshme dhe Verifikim të së Kaluarës, në bashkëpunim me IPK-në ka kryer hetimet dhe zyrtarët e apostrofuar në shkrim nuk kanë pasur pengesa në procesin e gradimit dhe në kohën kur janë graduar nuk kanë qenë nën hetime dhe janë rekomanduar për gradim”.

Megjithatë, IPK, ka përgënjeshtruar këtë përgjigje të Policisë së udhëhequr nga Rashit Qalaj.

“Lidhur me rastin e të dyshuarve e depërtimit e shtetasve turq IPK ka hetuar këtë rast dhe ka ngritur kallëzim penal për një numër të zyrtarëve policor për “privim të kundërligjshëm të lirisë”. IPK ka njoftuar me kohë Policinë  e Kosovës lidhur me listën e zyrtarëve  të dyshuarve  për këto raste”.

“Ndërkaq, për rastin e invalidëve të luftës, IPK  ka pranuar një autorizim nga Prokuroria themelore dhe është dukë ndërmarr veprime hetimore konform këtij autorizimi”, thuhet tutje në përgjigjen e IPK-së për Gazetën Insajderi.

Ky nuk është rasti i vetëm kur Qalaj ësht përgënjeshtruar nga IPK.

Drejtori i Policisë së Kosovës, del të ketë gënjyer kur ka thënë se “tezaku e ka hetuar tezakun” në skandalin për marrje të haraçit, ku ishte i përfshirë Hetuesi i lartë i Krimeve Ekonomike, Lavdim Osmani që është tezak me Bashkim Spahiun, shefin e Krimeve Ekonomike. Inspektorati Policor ka konfirmuar se i gjithë hetimi është kryer nga vetë ata.

 

Lexo edhe: 

Ekskluzive: Pas raportimit të Insajderit për gazin lotsjellës – nisin hetimet ndaj Rashit Qalajt

Ekskluzive: Rashit Qalaj i përfshirë në marrëveshjen sekrete për të shtypur protestuesit e opozitës në Shqipëri

“Djelmoshat” e Elmi Reçicës që kontrollojnë Policinë e Kosovës

PDK cakton Elmi Reçicën mbikëqyrës të Rashit Qalajt

insajderi.com