Ministrja Hoxha i jep kontratë biznesmenit amerikan të përfshirë në “skandalin me rusë” të PD-së

Një firmë lobuese, një biznesmen hebre me lidhje në Lindjen e Mesme dhe emri i Kadri Veselit – këto janë elementet e një kontrate të dyshimtë në vlerë prej qindra mijëra eurove të nënshkruar nga ministrja e Integrimit, Dhurata Hoxha dhe kompania "Madison Global Strategies, LLC" me bazë në Nju Jork. Kompania e biznesmenit Joe Allaham e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës është e përfshirë edhe në lobimin me rusë të Partisë Demokratike të Shqipërisë

Ministrja Hoxha i jep kontratë biznesmenit amerikan të përfshirë në “skandalin me rusë” të PD-së

Në orët e paradites së 17 qershorit të këtij viti, në objektin e Qeverisë së Kosovës po diskutohej për Raportin e Komisionit Evropian, i njohur si Raporti i Progresit. Takimin që mblodhi ambasadorë e pjesëtarë të kabinetit qeveritar e organizoi ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Hoxha, njëra prej tri grave të vetme ministre në Qeverinë Haradinaj, në po të njëjtën ditë nënshkroi një kontratë të dyshimtë “për konsulencë dhe planifikim strategjik” me firmën lobuese amerikane “Madison Global Strategies, LLC”, të udhëhequr nga një biznesmen restorantesh në Nju Jork, raporton Insajderi.

Ani pse Ministria e Integrimit Evropian e paraqet këtë kontratë si përpjekje e qeverisë për të forcuar pozitat e Kosovës brenda vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, firma nga e cila ka zgjedhur të këshillohet thotë se do të kryejë punë të tjera.

Kontrata të cilën Hoxha e lidhi me kompaninë amerikane “Madison Global Strategies” për shërbime të konsulencës, përfshin edhe këshillim në favor të Ministrisë e takime me anëtarë të Kongresit dhe të Administratës Trump.

Kurse në shkresat e kontratës, të cilat kompania është e obliguar t`i raportoj në Departamentin Amerikan të Shtetit, Insajderi ka parë se aty figuron edhe emri i kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Ministrja Hoxha njihet për afërsinë politike me udhëheqësin e PDK-së – i cili i ka besuar asaj udhëheqjen e dy ministrive në katër vitet e fundit – të cilit i ka dalë në mbrojtje pothuajse në të gjitha vendimet Kadri Veselit brenda partisë.

Ndonëse në njoftimin e publikuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) nuk përmendet askund Kadri Veseli, emri i kryetarit të Kuvendit të Kosovës përmendet në dokumentet të cilat janë paraqitur në Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) – e cila është pjesë e Departamentit të Drejtësisë në SHBA.

Sipas të dhënave të kontratës, e cila vlen 153 mijë euro, institucioni të cilin do ta përfaqësojë firma lobuese “Madison Global Strategies, LLC”, është Ministria e Integrimeve Evropiane, mirëpo emri i zyrtarit me të cilin “do të merret vesh regjistruesi [firma]” është Kadri Veseli.


Emri i Kadri Veselit në shkresat që firma “Madison GS, LLC” ka paraqitur pranë Departamentit të Drejtësisë në SHBA

Kontrata, e cila sipas ministres Hoxha ka të bëjë vetëm me këshillim e jo me lobim, përmban edhe takime me zyrtarë të Kongresit dhe Administratës amerikane, ka kohëzgjatje prej 9 muajsh – nga hyrja në fuqi, deri në përfundimin e kontratës.

Vlera e kësaj kontrate peshon 152 mijë e 232 euro, apo 171 mijë dollarë amerikanë, të cilat do të paguhen nga taksat e qytetarëve të Kosovës.

Pagesa mujore që Ministria e udhëhequr nga Dhurata Hoxha do t’i kryejë firmës “Madison Global Strategies, LLC” është 19 mijë dollarë apo 15 mijë e 146 euro në muaj.

Sipas obligimeve të marrëveshjes, firma amerikane ka për detyrë të sigurojë takime me kongresmenë amerikanë dhe njerëz të Administratës Trump, për të ndihmuar në pozitën e Kosovës në çështjet e sigurisë.

“”[Organizimi, v.j] i takimeve me anëtarët e Kongresit dhe Administratës, për shembull për të avokuar pozitën e Kosovës në çështjet rajonale të sigurisë”, thuhet në përshkrimin e kontratës nga firma amerikane “Madison Global Strategies, LLC”, e publikuar pranë agjencisë së Departamentit Amerikan të Drejtësisë.


Kontrata mes MIE dhe firmës amerikane parasheh takime me kongresmenë amerikanë /burimi: https://efile.fara.gov/docs/6697-Exhibit-AB-20190705-1.pdf

Një detaj tjetër që ngjall dyshime lidhur me kontratën e Ministrisë së Integrimeve Evropiane me firmën “Madison Global Strategies, LLC”, është fakti se firma në fjalë është formuar vetëm pak muaj më parë dhe kontrata e parë e saj është pikërisht kjo e nënshkruar me ministren kosovare, Dhurata Hoxha.

Kush është kompania e biznesmenit që u përfshi edhe në skandalin e PD-së në Shqipëri?

Kompania lobuese amerikane “Madison Global Strategies, LLC”, e cila është përzgjedhur fituese e tenderit për këshillim për favor të Ministrisë së Integrimeve dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, është formuar rishtazi mirëpo shefi i kësaj kompanie është i njohur për aktivitete lobuese.

Njeriu kryesor që ndikoi në afrimin e liderëve të Katarit me Administratën e presidentit amerikan Donald Trump dhe që po ashtu u përfshi në skandalin me lobim të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Joe Allaham, është drejtor ekzekutiv i “Madison Global Strategies, LLC”.

Gjatë vitit të kaluar, emri i Joe Allaham – i cili tani po paguhet nga Ministria e Integrimeve Evropiane – është përmendur në Shqipëri dhe në ShBA lidhur me aktivitetin e tij lobues për Partinë Demokratike (PD) të udhëhequr nga Lulëzim Basha.

Një hulumtim i publikuar nga gazeta investigative amerikane Motherjones.com në muajin qershor të vitit të kaluar, hodhi dritë mbi një ngjarje bizare ku u përfshinë një lobues amerikan pro-Trump, Partia Demokratike, biznesmeni Joe Allaham dhe dy shtetas rusë, që dyshohet se qëndruan prapa një lobimi me pagesë prej gjysmë milioni dollarësh.

Në vitin 2017, kompania Stonington Global, e cila është themeluar nga Nick Muzin dhe Joe Allaham, lidhi dy kontrata për përfaqësimin e Partisë Demokratike në Uashington, të cilat kishin si qëllim t’i siguronin takime të nivelit të lartë me administratën amerikane.


Joe Allaham dhe Nick Muzin/ burimi i fotografisë: Mother Jones

Sipas të dhënave të deklaruara në Departamentin e Drejtësisë në SHBA nga Muzin Capitol Partners – kontratat u lidhën nga Partia Demokratike dhe një kompani fiktive e regjistruar në Skoci me emrin “Biniatta Trade LP” dhe kapnin vlerën totale prej 675 mijë USD.

Drejtori ekzekutiv i “Madison Global Strategies, LLC”, Joe Allaham, është një biznesmen hebre i lindur në Damask dhe i lidhur me elitat vendimarrëse në Lindjen e Mesme.

Allaham kishte lindur në Siri më 1974 nga një familje që administronte restorante hebreje, tani ai është një qytetar amerikan që jeton në pjesën e Epërme të Manhatanit lindor. Allaham ka ngritur një perandori restorantesh klasi kosher në Nju Jork dhe vitet e fundit është përballur me disa çështje gjyqësore.

Në sajtin e tij, Allaham reklamon me krenari një takim të vitit 2010 ndërmjet presidentit sirian Bashar Assad dhe Malcolm Hoenlein, zv.kreu ekzekutiv i Organizatave të Konferencës Kryesore Amerikano-Hebreje.

Aty nuk ka ansjë shenjë për ndonjë ekspertizë që lidhet me Ballkanin.

Kur ishte pyetur në lidhje me përfshirjen e tij në skandalin e lobimit me rusë të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në një intervistë të shkurtër telefonike me Motherjones.com, Allaham tha se nuk dinte shumë për shqiptarët.

I pyetur se çfarë kishte bërë për Partinë Demokratike të Shqipërisë në atë rol, ai tha: “Konsulta, këtë bëra”. Çfarë lloj konsultimesh? A caktoi ai takime? Foli me anëtarë të Kongresit? “Janë konsulta”,tha Allaham. “Kaq kam për të thënë”.

A ka bërë ai ndonjë lobim më parë? “Jo tha ai, nuk kam bërë asnjë lobim më parë”. A ka ai ndonjë njohuri për Shqipërinë? “Jo”, u përgjigj ai. “Nuk kam qenë ndonjëherë atje”.

Ministria thotë se firma e Allaham do ta këshillojë Hoxhën lidhur me integrimin në BE

Ministria e Integrimeve Evropiane thotë se firma “Madison Global Strategies, LLC” do të hartojë strategji në favor të Ministrisë së Integrimit Evropian me qëllim forcimin e pozitës së Kosovës në Bashkimin Evropian.

Në një përgjigje për Insajderin, Ministria ka thënë se kontrata e nënshkruar me firmën e biznesmenit hebre, Joe Allaham, do ta fuqizojë pozitën e Qeverisë së Kosovës brenda institucioneve të Bashkimit Evropian.

“[Firma “Madison Global”] asiston, harton dhe promovon në favor të Ministrisë së Integrimit Evropian në planifikimin strategjik, në forcimin e pozitës së Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare që gjendën brenda BE-së me fokus procesin integrues”, ka thënë Ministria e Integrimit.

Ndonëse ka elemente kontradiktore, Ministria që udhëhiqet nga Dhurata Hoxha nuk e sheh të gabuar kontratën e dyshimtë të nënshkruar me firmën me bazë në Nju Jork.

Ministria ka thënë se pavarësisht vendndodhjes, firma “Madison Global Strategies, LLC” ka shtrirje globale, ani pse ajo është themeluar vetëm katër muaj më parë si firmë.

“Pavarësisht vendndodhjes së Kompanisë, veprimtaria e saj ka shtrirje globale, gjithsesi, fokusi ynë është i përqendruar brenda përgjegjësive dhe detyrave të Ministrisë së Integrimit”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Integrimit për Insajderin.

Institucionet e Kosovës kanë lidhur edhe marrëveshje të tjera për konsulencë dhe lobim me firma amerikane në të kaluarën.

Siç raportoi Insajderi përmes një hulumtimi të publikuar rreth tre muaj më parë, tri kompani amerikane përfitojnë miliona euro nga autoritetet kosovare për këshillim dhe lobim në favor të politikave të Qeverisë së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Përmes tri kontratave të ndryshme, Qeveria e Kosovës Ministria e Jashtme dhe Zyra e Presidentit të Kosovës synojnë t’i forcojnë lidhjet e tyre me autoritetet e SHBA-ve ndërmjet kompanive private amerikane. Të tri këto kontrata kapin vlera milionëshe.

Qeveria e Kosovës – Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Punëve të Jashtme – kanë lidhur kontrata me dy kompani me seli në Uashington: “Pillsbury, Winthrop” dhe “Chartwell Strategy Group”. Kompania “Pillsbury Winthrop et al” ka një kontratë një-vjeçare me Qeverinë e Kosovës dhe përfiton rreth 50 mijë euro në muaj.

Ndërkaq, Zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka nënshkruar vitin e kaluar një marrëveshje me kompaninë lobuese amerikane “Ballard Partners” në vlerë prej mbi 500 mijë eurove. /Insajderi.com

Lexo më tepër për milionat që shkojnë për lobim:

Lobimet milionëshe të qeverisë dhe presidentit në SHBA- zbulohen prapaskenat dhe detajet

Këto janë milionat që Kosova ka paguar për lobim në Amerikë

Komisioni Hetimor: Asnjë nga katër kontratat për lobim nuk janë të kompletuara

2.3 milionë euro për “mikun e madh të shqiptarëve” – institucionet nuk ofrojnë dëshmi rreth raporteve të plota

Ish-senatori Bob Dole fiton tender 2.3 milionë eurosh nga Qeveria e Kosovës

Komisioni hetimor kërkon dokumentet e shpenzimeve milionëshe për lobim – Institucionet heshtin

Kontrata për lobim e Thaçit – negociatat sekrete dhe nënshkrimi i dyshimtë

Shpenzimet milionëshe për lobim nuk dorëzohen në Prokurori